Përfundon rruga Kombinat–Pezë, Karakaçi: Lidhet kontrata për 9 km e tjerë drejt Ndroqit
ARRSH ka përfunduar 5 km rrugë deri në Pezë dhe ka lidhur kontratën për 9 km të tjera. Tenderi për 10 km e fundit hapet në nëntor.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka bërë të ditur se po ndërmerren hapat për përfundimin e aksit rrugor Kombinat–Ndroq–Plepa, një segment që synon të krijojë një alternativë të rëndësishme për lidhjen e Tiranës me Durrësin dhe të lehtësojë qarkullimin, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
Gjatë një inspektimi së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli, ministri njoftoi se 5 kilometrat e parë të rrugës, deri në Pezë, kanë përfunduar dhe janë marrë në dorëzim nga ARRSH. Ndërkohë, është finalizuar kontrata për vijimin e punimeve në 9 kilometrat pasues, ndërsa 10 kilometrat e fundit deri në Plepa janë të financuar dhe procedura e konkurrimit pritet të hapet brenda mesit të muajit nëntor.
Sipas Karakaçit, aksi Kombinat–Ndroq–Plepa ka rëndësi të veçantë për lehtësimin e trafikut drejt Durrësit dhe jugut të vendit, si dhe për zhvillimin ekonomik të zonave përgjatë tij. Ministri theksoi se përmirësimi i infrastrukturës rrugore do të lehtësojë aksesin e zonave bujqësore dhe piktoreske me dy qytetet kryesore, Tiranën dhe Durrësin, duke ndikuar gjithashtu në rritjen e vlerës së pronave në këtë territor.
Karakaçi: I gjithë aksi Kombinat–Plepa është i financuar
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur se Autoriteti Rrugor Shqiptar po përfundon dokumentacionin për hapjen e procedurës së konkurrimit për segmentin e fundit të rrugës, ndërsa kontrata për 9 kilometrat pasues është lidhur tashmë.
“Po marrim të gjithë hapat e nevojshëm për të përmbyllur rrugën Kombinat–Plepa. Tashmë, 5-kilometrat e parë, që të çojnë deri në Pezë, janë të përfunduar dhe janë marrë në dorëzim edhe nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Lajmi i mirë është që ditën e djeshme Autoriteti Rrugor Shqiptar ka finalizuar kontratën për vijimin e 9 kilometrave pasues. Edhe 10 kilometrat që të çojnë deri në Durrës, në Plepa, janë të financuar. Autoriteti Rrugor Shqiptar po përmbyll të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që brenda mesit të muajit nëntor të hapim procedurën e konkurrimit.
Pra kemi një segment Kombinat–Plepa, i cili është i financuar. 9 kilometrat vijues tashmë janë lidhur ditën e djeshme me kontratë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, ndërsa 10 kilometrat pasues, që të çojnë deri në Durrës janë të financuar dhe brenda mesit të muajit nëntor hapet procedura e konkurrimit.
Ky aks është i rëndësishëm, sepse së pari është një rrugë alternative që të çon deri në Durrës, shumë e përdorur sidomos gjatë sezonit turistik. Së dyti, kemi një zonë bujqësore, për të cilën është shumë i rëndësishëm aksesi me qytetet kryesore, Tiranën dhe Durrësin. Është gjithashtu një zonë piktoreske. Bëjmë edhe rritjen e vlerës së pronës për gjithë këtë zonë dhe këtë segment”, ka theksuar ministri Karakaçi.
Rruga e re do të jetë e kategorisë C1, me gjerësi 12.5 metra
Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, dha detaje mbi karakteristikat teknike të aksit Kombinat–Ndroq–Plepa, duke theksuar se rruga do të jetë e kategorisë C1, me gjerësi 12.5 metra.
Sipas tij, projekti parashikon dy korsi të plota qarkullimi, secila me gjerësi 3.75 metra, si dhe dy bankina të asfaltuara me gjerësi nga 1.5 metra dhe dy bankina të paasfaltuara me gjerësi nga 1 metër.
“Sikurse e thatë edhe ju ministër, kjo është një rrugë e një rëndësi të veçantë, veçanërisht për shfryrjen e trafikut drejt jugut edhe drejt qytetit të Durrësit. Kjo do të jetë një rrugë e kategorisë C1, me një gjerësi 12.5 metër. Do jenë dy karrexharatë të plota me gjerësi 3.75 metër, ndërkohë që do ketë edhe dy bankina të asfaltuara nga 1.5 dhe dy bankina të pa asfaltuara nga 1 metër të gjëra”, deklaroi Kozeli.
Ura e re e Beshirit mbi lumin Erzen, kontratë 12-mujore
Një tjetër investim që lidhet me përmirësimin e infrastrukturës së këtij aksi është ndërtimi i urës së re të Beshirit mbi lumin Erzen. Sipas drejtorit të ARRSH-së, kontrata për ndërtimin e saj është lidhur në korrik të këtij viti.
Ura e re do të ndërtohet paralelisht me urën ekzistuese dhe do të ketë një gjatësi prej 179 metrash. Projekti parashikon gjashtë hapësira drite, nga të cilat katër me gjatësi 30 metra secila dhe dy me gjatësi 29.5 metra.
Kozeli bëri të ditur se Këshilli Teknik i Autoritetit Rrugor Shqiptar ka marrë masat e nevojshme për të harmonizuar lidhjen ndërmjet rrugës ekzistuese dhe urës së re të projektuar. Sipas tij, në kantier kanë përfunduar piketimet dhe lirimi i sheshit të ndërtimit, ndërsa kontraktori ka nisur punën.
“Po është e vërtetë, në korrik të këtij viti kemi lidhur dhe një kontratë për ndërtimin e urës së re të Beshirit, do jetë një urë e re mbi lumin Erzen, paralel me urën ekzistuese. Kjo do jetë një urë me gjatësi 179 metër me 6 hapësira dritë, ku katër janë me 30 metër njëra nga tjetra, ndërkohë dy me 29.5.
Në Këshillin Teknik të Autoritetit Rrugor Shqiptar ne kemi marrë dhe masat e nevojshme për të bërë një rakordim midis rrugës ekzistuese dhe urës së re të projektuar, ndërkohë që aty ka nisur praktikisht puna, pasi janë bërë gjithë piketimet e nevojshme, është bërë lirimi i sheshit të ndërtimit dhe kontraktori është në punë për të vijuar.
Kjo kontratë është 12 mujore, ajo e urës së Beshirit është 12 mujore, ndërkohë që dy kontratat që ju cituat janë me gjatësi 24 muaj dhe Autoriteti Rrugor, sikurse dhe këtë kontratën e parë, do e mbylli në kohë, nuk parashikojmë të kemi vështirësi në mbylljen në afat të kontratës”, përfundoi Kozeli.
Sipas afateve të bëra publike, kontrata për ndërtimin e urës së Beshirit ka një kohëzgjatje prej 12 muajsh, ndërsa dy kontratat e përmendura për segmentet rrugore kanë afat realizimi 24 muaj. Drejtori i ARRSH-së u shpreh se institucioni nuk parashikon vështirësi për përfundimin e punimeve brenda afateve kontraktuale.
Me përfundimin e të gjithë segmentit Kombinat–Ndroq–Plepa, synohet krijimi i një lidhjeje alternative ndërmjet Tiranës dhe Durrësit, duke lehtësuar qarkullimin në drejtim të zonave bregdetare dhe duke përmirësuar aksesin për banorët dhe bizneset përgjatë këtij aksi.
Burimi: Shqiptarja
Më të lexuarat






k.jpg)